Izraeli ka pranuar për herë të parë se qëndron pas operacionit të shpërthimit të qindra pajisjeve të komunikimit (pagerave) të Hezbollahut në Liban.
“Operacioni i pagerave dhe eliminimi i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u realizuan pavarësisht kundërshtimit të zyrtarëve të lartë në institucionin e mbrojtjes,” tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një takim të kabinetit, sipas raporteve të mediave vendase.
Ngjarja ndodhi më 17 shtator, kur mijëra pagera të anëtarëve të Hezbollahut shpërthyen. Shpërthime të ngjashme u raportuan edhe një ditë më pas në disa pajisje të tjera komunikimi. Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, nga shpërthimet humbën jetën 37 persona dhe u plagosën rreth 3 mijë të tjerë.
Pranimi i përgjegjësisë për këtë sulm erdhi pas deklaratave të Netanyahu, i cili tha se kishte folur tri herë në ditët e fundit me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
“Këto biseda ishin shumë të mira dhe shumë të rëndësishme, që synonin forcimin e aleancës solide midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara,” u shpreh Netanyahu.