UBT News

Shpërthime misterioze në bazat ajrore ruse

Shpërthime misterioze ndodhën sot në dy baza ajrore ruse larg vijës së frontit, duke rritur mundësinë që Kievi të ketë gjetur një mënyrë për të shënjestruar bombarduesit rusë me rreze të gjatë të përdorur në sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase, shkruan Guardian.

Raportet e mediave ruse dhe pamjet e postuara në mediat sociale tregojnë se një shpërthim ndodhi herët sot në bazën ajrore Engels-2 në rajonin e Saratovit të Rusisë, ku strehohen bombarduesit Tu-95 që morën pjesë në sulmet me raketa lundruese në Ukrainë.

Një tjetër shpërthim ndodhi në një bazë ajrore ushtarake pranë qytetit të Ryazan, më pak se 250 milje nga Moska. Tre persona humbën jetën dhe pesë u plagosën pas shpërthimit të një kamioni me karburant, njoftuan mediat shtetërore ruse. Baza gjithashtu ka bombardues me rreze të gjatë Tu-95 dhe Tu-22M.

Shkaku i dy shpërthimeve nuk është konfirmuar. Sipas informacioneve të para, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa nëntë të tjerë janë plagosur.

Por “Baza”, një media ruse me burime në shërbimet e sigurisë, raportoi se baza ruse në Engels u sulmua me municione që synonin pistën e bazës ajrore. Astra, një tjetër media e pavarur ruse, pretendoi se dy bombardues Tu-95, të cilët mund të mbajnë armë bërthamore, u dëmtuan në shpërthim. Asnjëri prej tyre nuk përmendi burimin e informacionit të tyre.

“Nëse droni ka ardhur nga Ukraina, atëherë ata tashmë kanë teknologji me një distancë prej 1000 kilometrash, që do të thotë se Moska mund të sulmohet. Sulmet hakmarrëse duhet të vazhdojnë dhjetëfish”, shkruan agjencia ruse e lajmeve Readovka.

Kremlini tha se Vladimir Putin ishte informuar për incidentet. Autoritetet lokale në rajonin e Saratovit thanë se shërbimet e sigurisë po hetonin raportet për një shpërthim në bazën ajrore Engels.

“Dua t’ju siguroj se nuk ka pasur situatë emergjente në zonat e banuara të qytetit. Nuk ka arsye për shqetësim. Asnjë infrastrukturë civile nuk është dëmtuar” tha guvernatori i rajonit të Saratovit, Roman Busargin.

Exit mobile version