Në Ugandë, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar nëntë raste të Ebola-s, me një viktimë të parë, një infermier mashkull që vdiq një ditë para shpalljes së shpërthimit më 30 janar. Deri tani, ai është i vetmi i vdekur. Rreth 265 persona të tjerë janë nën karantinë dhe po monitorohen. Shtatë pacientë po trajtohen në spitalin kryesor publik në Kampala, ndërsa një tjetër është shtruar në Mbale.
Ministria e Shëndetësisë ka siguruar se situata është nën kontroll dhe ka marrë masa të shtuara për të parandaluar përhapjen e virusit. Infermieri i ndjerë kishte kërkuar trajtim në Kampala dhe më pas udhëtoi për në Mbale, ku u shtrua. Ai kishte pasur kontakte me një shërues tradicional dhe disa nga të afërmit e tij janë të infektuar gjithashtu.
Ebola është një sëmundje infektive që përhapet përmes kontaktit me lëngje trupore të një personi të infektuar. Simptomat përfshijnë ethe, të vjella, diarre, dhe ndonjëherë gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme. Aktualisht, nuk ka vaksina të miratuara për llojin e Ebolës që po qarkullon në Ugandë, por është nisur një studim klinik për të testuar një vaksinë eksperimentale. Shpërthimi i fundit i Ebolës në Ugandë, në vitin 2022, solli 55 viktima para se të shpallej i përfunduar./UBTNews/