UBT News

Shpallja e dy organizatave terroriste, Shala: Vendimi në kohë të gabuar, tensionet në veri të mundshme

Vendim në kohë të gabuar, po e quan njohësi i rrethanave të sigurisë, Drizan Shala, shpalljen nga ana e Qeverisë su organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit.

Shala tha se ndonëse vendimi nuk është marrë në kohë e duhur, kjo është ndihmesë për Policinë që t’i sjellë para drejtësisë ata që dyshohen për vepra kriminale në atë pjesë. Por ai thotë se Policia duhet të ketë koordinim edhe me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, ngase shtohet pyetja se “A mund dhe a ka kapacitet ta bëjnë një gjë të tillë”.

Krejt kjo thotë ai do të prodhojë tensione të reja, duke kërkuar që koordinim me miqtë mos të mungojë. Ngase siç thotë ai Kosova mund të futet në krizë ekonomike pas masave ekonomike të paralajmëruara nga Bashkimi Evropian.

“Ky veprim ndoshta është bërë në kohën e gabuar dhe kjo qasjen ndaj këtyre dy organizatave, por meqenëse është bërë kjo i ndihmën institucioneve të sigurisë, respektivisht Policisë për të angazhuar në mënyrë maksimale për t’i sjellë para drejtësisë. A do të prodhojë tensione, kjo pa dyshim që do të prodhojë tensione. A mund dhe a ka kapacitete Policia për të bërë luftën e saja në pengim të këtyre dy organizatave, duhet të angazhohet edhe mekanizmin ndërkombëtar. Duhet garantuar që ky vendim të zbatohet. Duhet të bëhet avokim në arenën ndërkombëtare për ta arsyetuar këtë vendim. Qeveria e Kosovës është i lidhur ngushtë me koordinim me Britaninë e Madhe. Po shpresoj që tash e tutje mekanizimi i sigurisë në Kosovë të marrin hapa konkret në avokimin mbi këtë vendim që është marrë për të dhënë informacione relevante mekanizmave të tjerë. Pa partneritet do të prodhojë një ekces i ardhshëm”.

“Ambasada amerikane është e nivolvuar në pjesën veriore dhe çdo vendim që merret nga Qeveria do të ndikonte edhe te stafi i tyre. Sanksionet, BE nuk është e kënaqur me pozicionin e Kosovës dhe vendimet e saj. Kjo do ta qoj Kosovën në një gjendje të rëndë ekonomike. Qeveria duhet të krijojë urë bashkëpunimi”, deklaroi ai.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Zëdhënësi i DASh-it tha se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.

“Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.

Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët gjatë këtyre përleshjeve.

Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

Exit mobile version