Zjarri në lokacionin turistik dimëror në provincën Bolu të Turqisë ka lënë të paktën 76 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të lënduar, tha ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya, duke njoftuar rritje të numrit të viktimave.
Nga të lënduarit, 17 janë liruar nga spitali, ndërsa një mbetet në kujdes intensiv, tha po ashtu ministri i Shëndetësisë Kemal Memişoğlu.
Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale në zonën e restorantit të hotelit në lokacionin turistik Kartalkaya, duke përfshirë shpejt ndërtesën, sipas guvernatorit të provincës Bolu, Abdulaziz Aydın.
Ai u vu nën kontroll pas dhjetë orësh punë nga zjarrfikësit, thanë autoritetet për Anadolu, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të freskuar zonat e prekura.
Presidenti turk Tayyip Erdogan tha se vendi do të mbajë ditë zie të mërkurën për shkak të zjarrit që shpërtheu duke marrë jetën dhjetëra njerëzve.