UBT News

Shpallen rezultatet, Kamberi edhe një herë deputet në Kuvendin e Serbisë

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi ka njoftuar se Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.

Kamberi ka arritur të marrë edhe një mandat të deputetit në Parlamentin e Serbisë, ku zgjedhjet u mbajtën për pesë herë radhazi. Ai ka shkruar se themelimi i Kuvendit dhe qeverisë së Serbisë do të shoqërohen me vendosjen e sanksioneve të Rusisë.

Ai po ashtu ka theksuar se janë në komunikim me Partinë e Aksionit Demokratik nga Sanxhaku, për të vazhduar bashkëpunimin drejt themelimit të një grupi parlamentar.

Për më shumë lexoni shkrimin e tij të plotë:

Sot, Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit 2022 në Serbi.

Partia kryesore në pushtet, Partia Progresiste e Serbisë (SNS) e Presidentit Vuçiq do të ketë 120 mandate nga gjithsej 250. Partneri i saj tradicional, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Daçiqit – 31 mandate.

Subjektet me vokacion të hapur të ekstremit të djathtë tashmë kanë bashkërisht 35 deputetë.

Listat që garuan si pakica kombëtare vetëm 13 deputetë.

Si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës jemi në komunikim me ish-partnerin tonë të legjislaturës së kaluar, Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partnerë të tjerë të mundshëm drejt themelimit të një Grupi Parlamentar.

Ditëve në vijim do t’i paraqesim kërkesat tona konkrete për Qeverinë e re të Serbisë.

Siç jemi zotuar, jo për t’u bërë pjesë e koalicionit të ri qeveritar, por si parakusht për ta votuar ose jo kabinetin e ri qeveritar.

Këto kërkesa do t’i bëjmë publike para mbajtjes së seancës plenare.

Themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Ky vendim është në interes të paqes, demokratizimit, zhvillimit e stabilitetit të vendit dhe rajonit.

Exit mobile version