UBT News

Shoqëria civile kundërshton shkarkimin e kryetares së KQZ-së

Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë kundërshtuar vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, duke e konsideruar këtë vendim si të motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.

Këto organizata nëpërmjet një komunikate bazuar në vendimin për shkarkim, vlerësojnë se argumentet e shtruara nga presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse.

“Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve. Gjithashtu, marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”, thuhet në një komunikatë të organizatave Demokracia për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), INDEP, INPO, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja FOL, Organizata Nënë Tereza, Organizata Çohu dhe Syri i Vizionit.

Exit mobile version