Shoqëria civile dhe institucionet shtetërore shpeshherë janë cilësuar nga një dinamikë rivaliteti dhe bashkëpunimi, duke reflektuar tensione dhe marrëdhënie komplementare. Historikisht, sidomos nga perspektiva e shtetit, këto shkëmbime nuk kanë qenë gjithmonë harmonike apo paqësore, pasi që shteti shpesh nuk e ka vlerësuar pozitivisht rolin dhe funksionin e shoqërisë civile.
Ky problem është ende aktual në qeverisjen moderne, pasi që institucionet e shtetit vazhdojnë të mbajnë qëndrime tipike të institucioneve kohezive. Edhe pse institucionet e shtetit mbizotërojnë në organizimin politik të shoqërisë, ato nuk janë të vetmet struktura që kontrollojnë ndërveprimet shoqërore. Shoqëria civile ka lindur si një forcë komplementare, duke organizuar njerëzit në grupe e kategori shoqërore të lira dhe të pavarura, jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të shtetit. Andaj, në teorinë dhe praktikën politike, koncepti i shtetit “omnipotent” brenda një shoqërie të dhënë nuk është as realist dhe as i dëshiruar.
Çfarë reflekton shoqëria civile në shoqëritë me kulturë demokratike?
Shoqëria civile përfaqëson një forum për veprim të përbashkët ku qytetarët mund t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në mbrojtje të të drejtave të tyre, t’i shprehin shqetësimet dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet shtetërore. Shoqëria civile vepron si ndërmjetës mes institucioneve shtetërore dhe qytetarëve, duke i kontribuuar baraspeshës së këtij ndërveprimi reciprok (pushteti kundruall qytetarëve). Megjithatë, shteti mëton ndërveprimin e drejtpërdrejtë me qytetarin, duke dashur të margjinalizoj rolin ndërmjetës të shoqërisë civile? Kjo mendësi pengon zhvillimin e shoqërisë civile brenda një konteksti të dhënë duke e apostrofuar atë si një strukturë paralele dhe rivale të institucioneve shtetërore. Në një shoqëri demokratike, ku institucionet shtetërore janë përgjegjëse ndaj qytetarëve të saj, krijimi dhe zbatimi i politikave publike dhe ofrimi i shërbimeve nuk mund të mbështetet vetëm te përfaqësuesit politikë. Kurdo që trajtohen çështje të ndërlikuara socio-ekonomike që kërkojnë zgjidhje krijuese dhe të qëndrueshme, institucionet shtetërore janë të vetëdijshme për rëndësinë e partnerëve të kualifikuar e që janë përtej kompetencave të tyre mbikëqyrëse. Me njohuritë e saj të thella, lidhjet e ngushta me qytetarët dhe aftësinë për të agreguar burime, shoqëria civile është tejet e përshtatshme për të marrë një rol thelbësor në hartimin dhe zbatimin e politikave publike, si dhe në adresimin e nevojave dhe prioriteteve të qytetarëve.
Në vendet evropiane shoqëria civile dhe shteti janë në partneritet të ngushtë!
Shumë vende evropiane kanë vendosur politika zyrtare për të rregulluar ndërveprimin midis institucioneve dhe shoqërisë civile. Këto politika zakonisht përfshijnë bashkëpunime të organizuara, duke njohur dhe garantuar të drejtën e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes dhe politikëbërjes. Organizatat e shoqërisë civile mund të marrin pjesë në forume publike, të kenë pozicione këshilldhënëse apo të ngarkohen me monitorimin dhe vlerësimin e projekteve të institucioneve shtetërore. Rrjedhimisht, një qasje e tillë, ka ndikuar ndjeshëm në formësimin e reformave demokratike, promovimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies. Kjo është karakteristike për vendet e BE-së por edhe vendet tjera që synojnë integrimin në BE, ku shoqëria civile ka udhëhequr nismat për katalizimin e pranimit të standardeve të BE-së të ndërlidhura me demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Shoqëria civile dhe institucionet shtetërore në Kosovë drejt rrugës së konvergjencës?
Në Kosovë shoqëria civile ka evoluar duke marrë role gjithnjë e më të rëndësishme. Fillimisht, pas luftës së fundit në Kosovë, shoqëria civile ishte e përqendruar në zbatimin e projekteve të përcaktuara nga donatorët e jashtëm duke krijuar kështu një varësi të drejtpërdrejtë financiare. Me kalimin e kohës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të buxhetit të Kosovës, organizatat e shoqërisë civile filluan një ndërveprim intensiv me institucionet shtetërore në zbatimin e projekteve të shumta për të adresuar nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë të zhvillimit të saj, është vërejtur tendenca e instrumentalizimit të shoqërisë civile nga ana e institucioneve shtetërore. Megjithatë, në përmasa të mjaftueshme, organizatat e shoqërisë civile kanë arritur të ruajnë pavarësinë e tyre duke ndërvepruar me institucionet shtetërore në nivelin e partneritetit. Kështu u krijuan raporte simbiotike, krahasur me ato osmotike e që ishin karakteristikë e fazës së parë dhe të dytë të zhvillimit evolutiv të shoqërisë civile në Kosovë.
Për t’iu përgjigjur sfidave të saj zhvillimore, në Kosovë është hartuar edhe Strategjia Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile. Kjo strategji është përpiluar pas një debati të plotë dhe gjithëpërfshirës midis përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile, duke synuar përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së ndikimit të shoqërisë civile në vendimmarrje.
Rrugëtimi i shoqërisë civile kosovare në dekadat e ardhshme
Në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe konsolidimit të mëtejshëm demokratik, partneriteti midis shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore në Kosovë do të jetë thelbësor për adresimin e sfidave të vendit. Përfshirja e shoqërisë civile në hartimin e politikave, ofrimin e shërbimeve publike dhe qeverisje do të sigurojë që zëri i të gjithë qytetarëve të dëgjohet, duke kontribuar kështu në një qeveri më gjithëpërfshirëse, transparente dhe të përgjegjshme. Suksesi i ardhshëm i demokracisë kosovare do të varet, në masë të madhe, nga zotësia e shoqërisë civile për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me institucionet shtetërore në adresimin e nevojave të qytetarëve, duke mbetur e imunizuar ndaj çfarëdo prirjeje të instrumentalizimit për qëllime politike.
Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
(Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative)