Organizatat AGK, Lëvizja FOL, IKD dhe aktivistja Flutura Kusari, përmes një konference për media, kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe KPM-së, duke e cilësuar atë si jotransparent dhe manipulues.
Kreu i AGK-së, Xhemajl Rexha, kritikoi ashpër nxitimin e partisë në pushtet duke kërkuar pezullimin e këtij procesi.
“Njëri nga kandidatët është ftuar mbrëmë në orën 21:24 për intervistën sot… kjo është një praktikë që nuk duhet ndjekur. AGK kërkon që ky proces të pezullohet derisa të sigurohet një proces fer”, sipas Rexhes.
Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL denoncoi ndryshimin e metodologjisë dhe pabarazinë në intervistim.
“Komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim, duke favorizuar hapur disa kandidatë… Kandidatët nuk do të jenë të barabartë pasi do të ketë pyetje të ndryshme, gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën”, tha Demolli.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, e cilësoi procesin si “tallje me demokracinë”:
“Ta ftosh një person rreth orës 22:00 të natës për t’u paraqitur nesër në mëngjes në intervistë është jo serioze… Ne jemi këtu për ta dokumentuar këtë kapje dhe për të ftuar Vetëvendosjen të reflektojë”, tha ajo.
Ndërkaq, Gzim Shala nga IKD kujtoi se këto ndërhyrje po e dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës:
“Për shkak të tentativave të vazhdueshme për ndërhyrje në këto institucione, Kosova është ranguar poshtë e më poshtë në indekset ndërkombëtare”, u shpreh Shala.
Sipas shoqërisë civile, mungesa e profesionistëve në këto gara vjen si pasojë e humbjes së besimit se Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë procese të bazuara në meritokraci. /Ekonomia online/
