Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së ka njoftuar se nesër do jetë ditë normale dhe e rregullt e punës, duke e anuluar kështu protestën e paralajmëruar për të mërkurën.
Sipas saj, shoqata sindikale nuk ka kapacitet juridik që t’i parashtrojë kërkesa qeverive, pasi partner social e kanë punëdhënësin apo ndërmarrjen ku veprojnë shoqatat sindikale, andaj thirrja për protestë në këtë rast nuk do ketë ndonjë efekt pozitiv apo ndikim, përveç benefiteve personale dhe klanore.
Kjo shoqatë para disa ditësh paralajmëroi protestë dhe kërkesat ishin për rritje pagash për 50 për qind deri në implementim të Ligjit të Pagave, rritje e investimeve në shëndetësi për përmirësimin e kushteve, të punës dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit si dhe miratim i Ligjit të Pagave dhe implementimi i tij nga janari 2023.
Njoftimi i plotë:
Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së njofton antarësinë e saj që ditën e nesërme do jetë ditë normale dhe e rregullt e punës.
Duke u bazuar në faktin që Projektligji për Paga është tashmë në platformën e dëgjimit publik, ndërsa bazuar edhe në faktin që FSShK ka deponuar komentet dhe rekomandimet tek sponzori i këtij ligji, në MSh dhe Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, kërkesat për mjete financiare të shprehura në përqindje në këtë fazë janë të pamatura, jashtë kontekstit dhe që realisht e minimizojnë rëndësinë dhe kërkesën e arsyeshme të shprehur përmes komenteve.
Në anën tjetër njoftojmë edhe antarësinë dhe opinionin publik që shoqata sindikale nuk ka kapacitet juridik që të parashtroj kërkesa qeverive, pasi partner social e kanë punëdhënësin apo ndërmarrjen ku veprojnë shoqatat sindikale, andaj thirrja për protestë në këtë rast nuk do ketë ndonjë efekt pozitiv app ndikim, përveq benefiteve personale dhe klanore.
Kompentencë e negocijimit dhe marrëveshjeve në nivel vendi, qoftë edhe parashtrimi i kërkesave në nivele qeveritare dhe ato ministrore është e federatave.
Është e rrugës që në këtë fazë shoqatat sindikale dhe krerët e tyre t’i menjanojnë interesat personale dhe mëritë, ndërsa t’i senzibilizojnë dhe angazhojnë antarësitë rreth diskutimit publik për Ligjin e Pagave në vend që ti vendosin në rrugë.
Kryesia ShSPSh-QKUK