UBT News

Shoqata e Transportit sërish proteston të hënën, Kurtishaj: Ky duhet të jetë alarmi i fundit për Qeverinë

Numër i madh i autobusëve të transportit ndërurban të udhëtarëve do të vendosen para Qeverisë së Kosovës të hënën.

Ky veprim i Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve vjen pasi mëngjesin e së premtes parakaluan mbi 200 autobusë nëpër rrugët e kryeqytetit si shenjë proteste për mossubvencionim nga Qeveria.

Kryetari i Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj tha se pandemia u ka shkaktuar humbje të mëdha dhe se institucionet edhe përkundër premtimeve nuk u kanë dalë në ndihmë. Ai thotë se vendosja e autobusëve ditën e hënë para Qeverisë është alarmi i fundit për institucionet.

“Ky duhet të jetë alarmi i fundit për Qeverinë që të mblidhet për realizimin e kërkesës, për t’i dalë në ndihmë operatorët të këtij sektori që padrejtësisht krijuan humbje të mëdha për shkak të qeverisë, dhe me vendimin e dytë që ju ndaloi shfrytëzimin e kapacitetit mbi 50% dhe masat e tjera kufizuese. Të gjitha këto vendime kanë qenë pengesë për ne, por ne i kemi dhënë hapësirë gjithmonë dialogut, por si duket Qeveria e ka pasur vetëm një lloj premtimi të rrejshëm dhe unë i bëj thirrje kryeministrit mos t’i ndryshojë. Ky alarm është i fundit për Qeverinë në realizim të marrëveshjes. Ju kërkojmë falje qytetarëve që nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë mjetet e transportit. Veprimet në ditët në vijim ne sapo i diskutuam dhe morëm vendim që të hënën nga ora 10:00 ne do ta kemi një marsh, por jo me lëvizje, por përballë Qeverisë dhe do të jetë një numër i caktuar i autobusëve. Është unifikim i të gjithë anëtarëve të shoqatës që protesta të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës. Koha e deklaratave për medie ka kaluar, kryeministri është mirë t’i bëjë ftesë ministrit të Financave që ta mbështes këtë shoqatë”, deklaroi ai.

Kurtishaj ka sqaruar se ata po kërkojnë që të kompensohen me rreth 6.5 milionë euro, ku do të përfshihen 450 biznese.

“Kërkesa jonë ka pasur të bëjë me kërkesën për kilometër dhe ne kemi kërkuar që të mbulojë vetëm pjesën e shpenzimeve që i bie 50 cent për kilometër në transportin ndërurban. Shënimet e sakta i ka ministria dhe flitet për rreth 6.5 milionë euro për 450 biznese”, deklaroi ai.

Kryetari i këshillit grevist, Driton Bytyçi, tha se pezullimi i punës vazhdon edhe përgjatë vikendit.

Exit mobile version