Transporti ilegal po vazhdon t’i dëmtojë tej mase auto-transportuesit e Mitrovicës dhe Vushtrrisë. Ata i janë drejtuar kryetarit të Mitrovicë së Jugut, Bedri Hamza, duke shprehur pakënaqësinë lidhur me operimin e furgonëve ilegalë në relacionin Mitrovicë-Prishtinë. Ata po kërkojnë që të ndalohen furgonët ilegalë, për të cilët thanë se po u shkaktojnë shumë probleme pasi operojnë ilegalisht.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, u shpreh se 60 punëtorë mund të mbesin pa punë, teksa ka paralajmëruar protesta nëse nuk ndërmerren masa ndaj tyre.
“Këta kanë hall të madh. Unë mbroj të drejtat e këtyre punëtorëve sepse 60 punëtore do të mbesin pa punë. Unë kam kërkuar që të ndërhyhet dhe kombit ilegalë t’i largojnë nga rruga. Deri më tash nuk kam marrë përgjigje, por që nga sot do të veprojmë me protesta para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës dhe të Vushtrrisë”, ka thënë Azemi për Ekonomia Online.
Avni Boletini, kryetar i Shoqatës së Autobusëve për rajonin e Mitrovicës, tha se janë të pajisur me licencë dhe punojnë me orar të rregullt, ndërsa furgonët operojnë ilegalisht dhe po i dëmtojnë tej mase.
“Ne jemi të pajisur me orar dhe licenca dhe paguajmë tatim. Ne jemi të dëmtuar nga transporti ilegalë të kombibusëve. Ky transport na ka dërguar buzë falimentimit dhe nuk mund t’i mbijetojmë kësaj situate. Jemi të obliguar të protestojmë deri në zgjidhjen e problemit”, u shpreh ai.
Edhe Hashim Mitari u ankua për konkurrencën e padrejtë nga transportuesit ilegalë.
“Nuk po dimë kujt t’i drejtohemi. Kemi qenë te drejtori i Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë se nuk kanë inspektorë. Ne nuk dimë kujt t’i drejtohemi, veç t’i marrim autobusët m’i vendos në rrugë edhe m’i kall. Ja do të punojnë kombit, ja do të punojmë ne”, u shpreh ai.