UBT News

‘Shoku im më i ngushtë’, Kim Jong Un uron për ditëlindje aleatin e tij Putin

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka dërguar një mesazh të veçantë presidentit rus, Vladimir Putin, për të festuar ditëlindjen e tij të 72-të. Në këtë mesazh, Kim e përshkroi Putinin si “shokun e tij më të ngushtë” dhe shprehu besimin se marrëdhëniet midis dy vendeve do të arrijnë një nivel të ri.

Marrëdhëniet mes Phenianit dhe Moskës janë thelluar ndjeshëm pas fillimit të luftës në Ukrainë, një zhvillim që ka shkaktuar shqetësime në Perëndim. Kim në deklaratën e tij njoftoi se Koreja e Veriut do të përshpejtojë hapat për t’u transformuar në një superfuqi ushtarake me armë bërthamore.

Sipas agjencisë Yonhap, e cila citon median shtetërore të Koresë së Veriut, KCNA, Kim theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë “të pathyeshme dhe të përjetshme”, duke iu referuar vizitës së Putinit në Phenian në qershor. Ai gjithashtu nënvizoi se takimet dhe lidhjet miqësore do të kontribuojnë në konsolidimin e miqësisë mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Historia e marrëdhënieve mes dy vendeve daton që nga koha e Stalinit dhe Kim Il-sung, gjyshit të Kim Jong Un. Bashkimi Sovjetik ka ofruar ndihmë të rëndësishme për Korenë e Veriut në forma të ndryshme, përfshirë armët dhe teknologjinë. Pheniani shpesh ka preferuar mbështetje ruse përballë asaj kineze, për të cilën nuk ka një besim të plotë.

Kjo urim dhe shprehje e bashkëpunimit mes dy liderëve vjen në një kohë të tensionuar gjeopolitike, duke reflektuar një rritje të mundshme të kooperimit strategjik mes Koresë së Veriut dhe Rusisë./UBTNews/

 

 

Exit mobile version