UBT News

Shmangni tarifat e mjeshtrit, një truk i thjeshtë për të ngrohur klimën vetë

Me rënien e menjëhershme të temperaturave, shumë prej jush e kanë ndezur për herë të parë këtë sezon klimën për ngrohje, por disa pajisje duket se nuk duan të kalojnë nga ftohja në ngrohje.

Para se të telefononi mjeshtrin, provoni këto këshilla të thjeshta nga ekspertët e kondicionerëve.

Si të vendosni klimën në mënyrën e ngrohjes?

Butoni MODE – Në çdo telekomandë ekziston butoni MODE. Shtypeni dhe kërkoni opsionin HEAT (ngrohje). Në disa pajisje, kjo shfaqet si ikona e diellit ose me mbishkrimin HEAT. Sigurohuni që shigjeta treguese të jetë drejtuar tek ky opsion.

Vendosja e temperaturës – Rekomandohet të vendosni dy gradë më të lartë se ajo që dëshironi në dhomë. Për shembull, nëse doni 24°C, vendoseni 26°C, pasi njësia e brendshme mat nxehtësinë pranë vetes, që zakonisht është më e lartë se temperatura reale në dhomë.

Mos ndryshoni opsionin gjatë punës – Nuk rekomandohet të kaloni nga ftohja në ngrohje ndërkohë që kondicioneri është ndezur. Ky ndryshim duhet bërë para ndezjes së pajisjes. Ndërsa temperatura mund të rregullohet lirshëm gjatë funksionimit.

Kohë për ngrohje – Pasi ta ndizni, klimës i duhen rreth 2 deri 10 minuta për të filluar të lëshojë ajër të ngrohtë.

Shpejtësia e ventilatorit – Rregullohet me butonin FAN SPEED në telekomandë. Shumica e pajisjeve kanë tre ose katër nivele. Rekomandohet niveli i parë (LOW), që lejon ajrin të ngrohet më mirë para se të shpërndahet në dhomë.

Nëse klima nuk ngroh ende

Nëse pas këtyre hapave pajisja nuk funksionon, duhet ta rindizni. Shpesh, mungesa e shërbimit vjetor mund të shkaktojë që kondicioneri të mos ndizet ose të shfaqë mesazh gabimi.

Si të bëni rindezjen?

Fikni kondicionerin përmes telekomandës dhe nxirrni kabllon nga priza. Lëreni disa minuta dhe pastaj lidheni sërish me rrymën.

Afrohuni te njësia e brendshme dhe hapni kapakun. Shikoni për një buton të vogël për rindezje zakonisht në njërën anë poshtë.

Mbajeni të shtypur për rreth 10 sekonda dhe më pas lëshojeni.

Ndizeni sërish përmes telekomandës dhe vendoseni në mënyrën HEAT.

Me këto hapa, klima juaj duhet të fillojë të ngrohë pa probleme, dhe mund ta përdorni vetë pa nevojën për mjeshtrin. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version