Policia e Kosovës ka përsëritur sot thirrjet për drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm në trafik, duke theksuar se ngasja e përqendruar është çelësi për një jetë më të sigurt.
“Çdo sekondë mungesë përqendrimi mund të rrezikojë jetën tënde dhe të të tjerëve”, thuhet në apelin e Policisë, duke i rikujtuar shoferëve se pakujdesia në timon mund të ketë pasoja fatale.
Policia ka kërkuar me ngulm që përdorimi i telefonit gjatë ngasjes të shmanget plotësisht, pasi shpërqendrimi nga pajisjet teknologjike është një nga shkaqet më të zakonshme të aksidenteve në vend.
Gjithashtu, qytetarët janë paralajmëruar të mos drejtojnë automjetet kur janë të lodhur apo nën ndikimin e substancave, pasi në këto raste rreziku në trafik shumëfishohet.
Në mënyrë të veçantë, shoferët janë ftuar të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, duke kujtuar se tejkalimi i shpejtësisë shpesh shndërrohet në tragjedi rrugore.
“Ruaj veten! Ruaj të tjerët!”, është mesazhi që Policia e Kosovës ua ka drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në trafik, duke theksuar rëndësinë e vetëdijes individuale.
Në fund, Policia ka apeluar për ngasje me kujdes, qetësi dhe vëmendje, si mënyra më e sigurt për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur familjet.
“Jeto më gjatë, për ty dhe familjen tënde”, thuhet në thirrjen e Policisë së Kosovës./betimipërdrejtësi