Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, qëndruan për një vizitë Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton, autorë të disa librave për Kosovën, me ç’rast realizuan një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Art dhe Media Digjitale dhe Fakultetit Dizajn i Integruar në UBT.
Studentët u njoftuan për angazhimin dhe kontributin e veçantë të Elizabeth Gowing dhe Robert Wilton në fushën e artit, letërsisë dhe të kulturës në Kosovë, sidomos në përfaqësimin e tyre që kanë përzgjedhur ta bëjnë përmes shkrimeve.
Bashkëbisedimi u përqendrua në temën “Syri i një të huaji”, për të cilën shkrimtari Robert Wilton tha se është e nevojshme të shihen gjërat ndryshe, meqë secila gjë ka veçantinë e saj, ashtu siç ka qenë Kosova për të.
“Mësohuni të shikoni botën me syrin e të huajit. Përvoja jonë në Kosovë ka qenë e veçantë, mirëpo ne nuk pretendojmë që idetë tona janë më të mira ose më të dobishmet, vetëm se pikëpamjet tona për Kosovën janë të ndryshme”, tha Wilton.
Ndër të tjera, shkrimtarja Elizabeth Gowing përshkroi librin e saj për Kosovën “The Silver Thread”, teksa tha se përvoja e saj në Kosovë ka nisur nga gjërat e vogla, të cilat i ka parë nga një këndvështrim tjetër.
Elizabeth Gowing është autore e pesë librave të udhëtimit, nga të cilët katër janë për Kosovën dhe Ballkanin, ndërsa Robert Wilton është një shkrimtar dhe diplomat britanik, i cili ka shërbyer edhe në Ballkan, duke përfshirë si këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, dhe si zëvendës-ambasador i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.