Ekipet e shpëtimit në Venezuelë po vazhdojnë operacionet intensive të kërkim-shpëtimit pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin javën e kaluar, ndërsa numri i viktimave ka arritur në afro 1.500.
Sipas Reuters, ekipe shpëtimi nga vende të ndryshme kanë mbërritur në shtetin La Guaira, zona më e goditur nga fatkeqësia, ku dhjetëra ndërtesa janë shembur. Ky rajon bregdetar ndodhet rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit, Karakas.
Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, ka deklaruar se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë për aq kohë sa ekziston shpresa për të gjetur të mbijetuar.
“Sot kemi nxjerrë njerëz të gjallë nga rrënojat, prandaj operacionet vazhdojnë. Ne nuk e humbasim shpresën”, është shprehur Rodríguez.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se është formuar një komision presidencial për të vlerësuar sigurinë e ndërtesave të dëmtuara, ndërsa mësimi në shkolla do të mbetet i pezulluar edhe për një javë. Sipas saj, furnizimi me energji elektrike në La Guaira është rikthyer në rreth 75 për qind.
Qeveria ka falënderuar vullnetarët që po dërgojnë ndihma në zonat e prekura, por ka kufizuar qarkullimin në rrugët kryesore për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve të emergjencës.
Ndërkohë, presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, ka bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar 1.450 viktima, 3.150 persona të lënduar, 12.721 të pastrehë dhe 774 ndërtesa të shembura.
“Po kalojmë orë vendimtare për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe për të ngritur kampe për njerëzit që kanë humbur shtëpitë ose nuk mund të kthehen në banesat e tyre”, ka deklaruar ai.
Para mbërritjes së më shumë se 2.600 punonjësve ndërkombëtarë të shpëtimit, familjarët dhe vullnetarët kërkuan për ditë të tëra të mbijetuar dhe viktima mes rrënojave, duke u ankuar për mungesën e makinerive të rënda dhe ndihmës së mjaftueshme nga autoritetet.
Situata mbetet kritike edhe për shkak të qindra lëkundjeve pasuese që vazhdojnë të godasin zonat e prekura, duke vështirësuar operacionet e kërkim-shpëtimit./A.K/
