Ka shkuar në mbi 30 numri i viktimave si pasojë e një sulmi rus në një bllok apartamentesh në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore gjatë fundjavës, konfirmuan zyrtarët ukrainas të martën.
Ndërtesa e banimit në qytetin e Chasiv Yar u godit të shtunën mbrëma, ndërsa Rusia përsëri i shtoi sulmet e saj mbi qytetet në Ukrainën lindore në një përpjekje për të marrë kontrollin mbi të gjithë zonën e Donbasit.
Së paku 34 persona kanë vdekur dhe nëntë janë lënduar si pasojë e sulmit, konfirmoi Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, të martën përmes kanalit të tij zyrtar Telegram. Një nga viktimat ishte fëmijë.
Operacioni i shpëtimit po vazhdon dhe shërbimet e urgjencës kanë pastruar rreth 70% të rrënojave, tha Kyrylenko./UBTNews/