UBT News

Shkon në 25 numri i zyrtarëve të arrestuar në Vërmicë

Në pikën kufitare në Vërmicë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) bashkë me Prokurorinë Speciale ka nisur aksionin e koduar “Pika 2”, ku deri më tani janë arrestuar 25 zyrtarë policorë kufitar me dyshimin se kanë kryer veprat penale marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të gjitha tashmë janë nisur drejtë Prishtinës për intervistim.

Disa nga zyrtarët policorë janë arrestuar gjatë kohës sa ishin në detyrë në pikën kufitare Vermicë, ndërsa pjesa tjetër e të dyshuarve janë thirrur nga ana e hetuesve të IKP-së në objektin e përbashkët Kosovë-Shqipëri dhe në po të njëjtin vend është kryer edhe arrestimi i zyrtarëve policorë të dyshuar, të cilët tashmë janë nisur për intervistë. Dyshohet qe në një periudhë disa mujore kanë pranuar ryshfet nga ana e qytetarëve për të kaluar pikën kufitare në Vërmicë.

Kurse në njoftimin për mediat, SPAK deklaron se procedimin penal për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës. Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, deklaron SPAK.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masat e sigurimit personal janë: “Arrest në burg” për 17 persona punonjës policie, ‶Arrest në shtëpi‶ për 14 shtetas dhe punonjës policie si dhe ‶Pezullim nga detyra‶ ndaj 3 punonjës policie.

SPAK thekson se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentin e Policisë Kufitare, kanë ekzekutuar sot masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatë.

Kujtojmë që më 14 mars të këtij viti Inspektorati Policor bashkë me Prokurorinë Speciale realizuan një operacion të koduad si “Pika”, ku u arrestuan 48 zyrtarë policorë në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë”, ndërkaq 18 zyrtarë policorë ndodhen në arrati.

Këta të arrestuar dyshohen për kryerjen e 400 veprimtarive kriminale të veprës penale marrje e ryshfetit she keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Exit mobile version