Pak kohë pasi revolta e celulave të ISIS në burgun e Al Hassakah në Siri ku vijon të mbajë në tension rajonin verilindor, një shqiptar është identifikuar mes të ndaluarve.
Ali Musa Balliu i datëlindjes 1955 vijon të jetë në burgjet e Sirisë, ndërsa pak ditë më parë ai u ndalua nga forcat kurde pasi burgu ku qëndronte u shpërthye nga grupet terroriste në tentativë për të liruar pjesëtarë të ISIS.
Drama e familjes Balliu nisi kur djali i tyre, Idajeti, u nis drejt Sirisë dhe u vra si luftëtar i Shtetit Islamik në Alepo, në vitin 2015. Ali dhe Ruzhdie Balliu u nisën drejt Sirisë e ndërsa Ruzhdie Balliu arriti të dilte nga kampi Al Hawl, bashkëshorti i saj mbeti në Siri. Ruzhdia ishte një nga shqiptaret të cilët ekipi i A2 CNN takoi në kampin famëkeq në vitin 2019. “Burrin nuk e di fare se ku është”, deklaroi në atë kohë ajo për gazetarin e A2 CNN, Julian Kasapi.
Pak kohë më parë, lidhur me të nuk dihej asgjë, por të dhënat e siguruara nga A2 CNN tregojnë se ai është gjallë.
Ali dhe Ruzhdie Balliu u nisën në kërkim të djalit të tyre i cili u kishte thënë se do të studionte në Arabinë Saudite. Prej 6 vitesh, burrë e grua mbetën atje në mes të luftës, pasi misioni për të kthyer djalin në shtëpi dështoi.
Ruzhdie Balliu kërkoi rikthimin e saj nga kampi Al Hawl përmes intervistës së dhënë në A2 CNN, ndërsa bashkëshorti i saj mbetet në burgun e Al Hassakah./a2cnn