Aktori irlandez Colin Farrell ka ndarë një nga momentet më të sikletshme të karrierës së tij gjatë një interviste në emisionin “The Late Show with Stephen Colbert”, duke kujtuar një përvojë nga xhirimet e filmit “Minority Report” (2002), ku ai luante përkrah Tom Cruise.
Ngjarja ka ndodhur më 31 maj, në ditëlindjen e tij, kur Farrell kishte kërkuar të mos punonte atë ditë, por kërkesa e tij ishte refuzuar nga produksioni.
Pas një nate feste të tepruar, ai u paraqit në xhirime i lodhur dhe në gjendje të keqe. Farrell ka treguar me humor se kishte kërkuar “gjashtë birra dhe një kuti cigare” për t’u ndier më mirë, por as kjo nuk e ndihmoi.
Gjatë xhirimeve të një skene me Cruise, aktori pati vështirësi për të shqiptuar një fjali të gjatë shkencore, duke bërë plot 46 tentativa për ta thënë siç duhet.
“Tom nuk ishte shumë i lumtur me mua,” ka pranuar Farrell duke qeshur.
Ai ka rrëfyer se kjo periudhë përkoi me betejën e tij ndaj varësisë nga droga dhe alkooli, me të cilat u përball për 16 vjet.
Më vonë, shkoi në rehabilitim dhe që prej atëherë ka qëndruar i pastër.
Sot, Colin Farrell gëzon një karrierë të qëndrueshme dhe suksese të shumta, duke përfshirë edhe një nominim për “Oscar” në vitin 2023, duke dëshmuar se ka nxjerrë mësime të vlefshme nga e kaluara. /A.Z/UBT News/
