Zhvilluesja kryesore e vaksinës kundër koronavirusit të Oxford/AstraZeneca ka paralajmëruar se pandemia e ardhshme mund të jetë “më vdekjeprurëse”, duke bërë thirrje që të bëhen parapërgatitje më të mira.
Sarah Gilbert tha se bota duhet të mësojë nga pandemia e COVID-19.
“Kjo nuk do të jetë hera e fundit që virusi do të kërcënojë jetën tonë. E vërteta është që, (pandemia) e ardhshme do të jetë më e keqe. Mund të jetë më ngjitëse ose më vdekjeprurëse, ose të dyja së bashku”, tha Gilbert.
“Përparimet që kemi bërë dhe njohuritë që kemi fituar, nuk duhet t’i humbasim”, tha ajo.
Vaksina e prodhuar nga Universiteti i Oxfordit dhe kompania AstraZeneca ishte vaksina e parë kundër koronavirusit që fillimisht u miratua për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar dhe aktualisht përdoret në mbi 170 shtete të botës.
Për shkak të rolit të saj në zbulimin e vaksinës, Gilbert është nderuar nga Mbretëresha Elizabeth II e cila ia ka ndarë titullin Damë.
Ajo ka punuar në prodhimin dhe testimin e vaksinave për më shumë se një dekadë, kryesisht duke përdorur antigjenët nga malaria dhe gripi dhe nisi projektin për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit në fillim të vitit 2020, pasi virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019.
Përderisa bota po përballet me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, Gilbert bëri thirrje për kujdes të shtuar.
“Derisa të dimë më shumë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndërmarrim hapa për të frenuar përhapjen e këtij varianti të ri”, tha ajo./REL