Një studim i ri nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko (UCSF) ka identifikuar një proteinë të quajtur FTL1, e cila duket se është çelësi për plakjen e trurit.
Eksperimentet te minjtë kanë treguar se sasia e lartë e FTL1 humb kujtesëN, dobson lidhjen mes qelizave të trurit, ngadalëson funksionimin.
Kur shkencëtarët e bllokuan proteinën, minjtë e moshuar rifituan funksionimin rinor të trurit dhe kujtesë të mprehtë, raportoi ScienceDaily.
“Është rikthimi i aftësive, shumë më tepër sesa thjesht vonimi ose parandalimi i simptomave”, tha Saul Villeda, PhD, autor kryesor i studimit dhe zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve për Plakjen “Bakar” në UCSF.
Minjtë kishin nivele më të larta të FTL1 në hipokampus, pjesa e trurit që kontrollon të mësuarit dhe kujtesën, dhe më pak lidhje nervore. Kur kjo proteinë u rrit artificialisht te minjtë e rinj, truri dhe sjelljet filluan të ngjanin me ato të minjve të moshuar. Kur shkencëtarët ulën nivelin e FTL1 në hipokampusin e minjve të vjetër, fituan më shumë lidhje nervore e performuan më mirë në testet e kujtesës.
Qelizat nervore me shumë FTL1 prodhonin degëzime të thjeshta, jo lidhje komplekse që gjenden te qelizat e shëndetshme. FTL1 ngadalësonte metabolizmin e qelizave nervore, por kur trajtoheshin me substancë që stimulon metabolizmin, efektet negative zhdukeshin.
Villeda ka thënë se ky zbulim është hap i madh drejt terapive që bllokojnë FTL1 dhe të përmirësojnë shëndetin e trurit te të moshuarit.
“Po shohim më shumë mundësi për të lehtësuar pasojat më të rënda të plakjes. Është kohë shpresëdhënëse për të punuar në biologjinë e plakjes”, ka thënë ai. Studimi u botua më 19 gusht në revistën Nature Aging.