UBT News

Shkencëtarët prezantojnë serumin që rikthen flokët në vetëm 20 ditë

Një studim i fundit nga Universiteti Kombëtar i Tajvanit ka dhënë rezultate premtuese në luftën kundër rënies së flokëve.

Studiuesit zhvilluan një serum të thjeshtë, i cili aplikohet në lëkurë dhe sipas testeve të kryera në minj laboratorikë, stimulon rritjen e flokëve brenda tre javësh. Produkti mund të shndërrohet së shpejti në një trajtim të zakonshëm kozmetik për kujdesin e flokëve.

Serumi përmban acide yndyrore natyrale që nuk irritojnë lëkurën e veprojnë duke stimuluar qelizat dhjamore për të rigjeneruar folikulat e flokëve. Ky proces, që konsiderohej i vështirë për t’u arritur pa ndërhyrje kirurgjikale ose trajtime kimike intensive, tani mund të realizohet me një formulë të thjeshtë.

“E testova vetë në këmbët e mia për tre javë dhe pashë rigjenerim të dukshëm të flokëve,” tha profesori Sung-Jan Lin, autor i studimit, për New Scientist.

Ai dhe ekipi i tij kanë patentuar formulën dhe po përgatiten për testime klinike te njerëzit para se ta lëshojnë në treg.

Në eksperimentet fillestare, studiuesit përdorën substancë irrituese për të stimuluar sistemin imunitar të minjve, duke nxitur qelizat dhjamore të lëshonin acide yndyrore që aktivizonin qelizat burimore të folikulave të flokëve. Ata zhvilluan një version më të butë të serumit, i cili përmban acide oleike dhe palmitoleike të tretura në alkool, që nxisin rritjen e flokëve pa nevojën e stimulimit irritues.

“Këto acide gjenden natyrshëm në trupin tonë dhe në shumë vajra bimore, ndaj përdorimi i tyre është i sigurt,” shtoi prof. Lin.

Hulumtuesit theksojnë se serumi duhet të testohet ende në një numër më të madh vullnetarësh njerëzorë, por rezultatet janëpremtuese. Nëse testet klinike konfirmojnë efektivitetin, ky serum ofrohet si produkt kozmetik i zakonshëm për trajtimin e rënies së flokëve, pa nevojën e recetës mjekësore.

Trajtimet për rënien e flokëve përfshijnë ilaçe si minoxidil dhe finasteride, transplantime folikulash dhe terapi me lazer, që shkaktojnë efekte anësore si çrregullime hormonale ose depresion.

Ky zbulim tajvanez hapë rrugën për alternativë natyrale, efektive e pa efekte të rënda anësore për miliona persona që vuajnë nga alopecia në mbarë botën. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version