Gjatë dekadës së fundit Airbnb është kthyer në faqen kryesore në internet për hotelet apo shtëpitë me qira. Por, tashmë ajo gjendet para një konkurrenti shumë të fortë.
Shkëmbimi i shtëpive apo i njohur në gjuhen origjinale si home-swapping, është një metodë që të jep mundësinë të shkëmbesh shtëpinë apo apartamentin tënd me dikë tjetër në vendin tënd ose në një shtet tërësisht tjetër. Kjo do të thotë se të dy pronarët kanë mundësi të pushojnë tek shtëpitë e njëri tjetrit në të njëjtën kohë – dhe e vetmja kosto është një tarifë fillestare modeste për t’u regjistruar në sistem.
Këto lloj pushimesh duket të kenë pësuar një rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Një nga faqet e bazuara në Mbretërinë e Bashkuar, Love Home Swap, ka pësuar një rritje prej 282 % vetëm vitin e shkuar, në krahasim me vitin 2019 dhe një tjetër rritje prej 73 % gjatë periudhës Maj-Qershor 2020.
Mbase ata mund të kenë përfituar nga dëshira e udhëtarëve për të qëndruar në një akomodim privat në vend të hoteleve, si pasojë e frikës gjatë pandemisë, ose ndoshta ky lloj akomodimi është thjesht më i suksesshëm në plotësimin e të gjithë kërkesave të një udhëtari?
Përse keni filluar të shkëmbeni shtëpi?
Ne jemi një familje e madhe prej 8 vetash (kemi 6 fëmijë nga 1-11 vjeç) dhe pushimet për ne janë vërtetë shumë të shtrenjta.
Shkëmbimi i shtëpive na lejon të udhëtojmë më larg dhe të paguajmë më pak, pasi pagesat janë vetëm për udhëtimin, akomodomi është falas. Dhe sigurisht, ndjesia e aventurës na tërheq.
Përse ju pëlqen shkëmbimi i shtëpive?
Duke shkëmbyer shtëpi, ne kemi mundësinë të qëndrojmë në një shtëpi të bukur, të rehatshme, në një vendndodhje qendrore, gjë që të cilën mbase nuk do të kishim mundësi ta përballonim.
Gjithashtu, na pëlqen fakti që këto akomodime janë në fakt shtëpia e dikujt ndaj kjo na bën të ndjehemi menjëherë mirë, sidomos për fëmijët të cilët kanë mundësi të qëndrojnë në dhomat e fëmijëve të tjerë plot me lodra e libra.
Cilat vende keni vizituar deri tani?
Deri tani kemi qenë në Londër për një fundjavë të gjatë dhe në San Sebastian për 2 javë.
Këtë vit po shkëmbehemi me një familje nga Cambridge gjatë tetorit.
Cilat janë benefitet e shkëmbimit të shtëpive dhe çfarë vështirësish keni hasur?
Benefitet janë të panumërta! Shtëpia mjaft të bukura tek të cilat qëndron falas.
Kemi pasur oferta për të shkuar në Australi, Zelandë të Re madje edhe në SHBA.
Vështirësitë mbase do të ishin pjesa e pastrimit dhe sistemimit të shtëpisë para se të nisesh në mënyrë që i ftuari ta gjej veten sa më mirë.
Të tjera vështirësi mbase do të përfshinin dërgimin e shumë kërkesave para se të mund të gjesh dikë me të cilin të përshtaten të njëjtat dëshira dhe kushte – pra dikush që do të donte te vinte në qytetin tënd dhe anasjelltas.
Gjithashtu këto faqe në përgjithësi funksionojnë në bazë të vlerësimeve dhe komenteve që të tjerët lënë në profilin tuaj ndaj është tepër e rëndësishme që iniciativat të jenë sa më serioze nga të dyja palët pjesëmarrëse.