Një shkëmb që duket si gjuha e gurëzuar e dragonjve të legjendave. Përreth një humnerë ku shpaloset një nga peizazhet më marramendëse në botë, sipër fjordeve norvegjeze.
Është “Gjuha e Trollit”, një nga vendet më të fotografuara të vendit skandinav. 700 metra sipër ujërave të ftohta të liqenit Ringedalsvatnet, shkëmbi karakteristik arrihet pas një udhëtimi të mundimshëm, që nuk zgjat më pak se 5 orë, por pamja e bën atë një nga destinacionet e preferuara të dashamirësve të natyrës.
Në 2009, shkëmbin karakteristik e vizitonin pak qindra persona në vit. Vetëm 5 vite më vonë, vizitorët ishin 40 mijë. Rritja e pabesueshme ka një shkak të vetëm, rrjetet sociale.
Shpërndarja e pozave mahnitëse por edhe akrobatike në buzë të shkëmbit e kthyen “Gjuhën” në një destinacion global të fotografive ekstreme, që marrin pëlqime pafund në platformat e ndryshme.
Nuk ka barriera aty, dhe vizitorët që lejohen nga mesi i qershorit deri në shtator e marrin vetë koston e rrezikut. Nuk kanë munguar gjatë viteve aksidentet, shpesh herë edhe tragjike.