Rreth 42 mijë vetë rrezikohen nga përmbytjet në zonat e kontrolluara nga Rusia përgjatë lumit Dnipro në Ukrainë, pas shkatërrimit të një dige në Nova Kakovka. Shefi i Ndihmave në OKB, Martin Griffiths paralajmëroi gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit për pasoja të rënda dhe me shtrirje të gjerë.
“Shkatërrimi i digës së centralit hidro-elektrik të Kakhovka është një prej dëmëve më të mëdha në infrastrukturën civile që prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Magnituda e katastrofës do të kuptohet plotësisht gjatë ditëve në vijim, por që tani është e qartë se do të ketë pasoja të rënda për mijëra njerëz në jug të Ukrainës”, tha Griffiths.
Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës që shkaktoi vërshime masive uji përgjatë një zone të madhe lufte, e detyroi evakuimin e mijëra personave. Kievi pretendon se forcat ruse ndërmorën një akt të qëllimshëm lufte, duke hedhur digën në erë
“Vetëm çlirimi i plotë i tokave ukrainase nga pushtuesit rus do të garantojë ndaljen e sulmeve të tilla terroriste. Rusia përdor çdo gjë për të shkaktuar terror. Shteti terrorist duhet të humbasë”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Por Moska fajëson Kievin dhe gjatë një seance të Këshillit të Sigurisë, foli për akt të qëllimshëm sabotazhi: “Sabotazhi i ndërmarrë nga Kievi kishte dy qëllime kryesore; së pari të tërhiqte vëmendjen maksimale për të krijuar mundësitë e favorshme për kundërofensivën e paralajmëruar; dhe së dyti, të shkaktonte dëmin maksimal humanitar ndaj popullsisë”.
ShBA-ja tha se nuk ishte e sigurt se kë të fajësonte për shkatërrimin e digës, porse nuk do të kishte kuptim që Ukraina t’ia kishte bërë këtë popullsisë së vet. Ndërsa ende nuk ka raportime për viktima, media shtetërore në Rusi foli për disa persona të zhdukur.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në zonën e pushtuar të Nova Kakhovkas në rajonin e Khersonit.