Dy ekspertët më të mirë të motit në Hungari janë shkarkuar nga detyra për shkak të një parashikimi të gabuar të motit që shkaktoi zhurmë politike.
Ajo që ishte planifikuar si “shfaqja më e madhe e fishekzjarreve në Evropë” ishte organizuar të shtunën mbrëma për të shënuar Ditën e Shën Stefanit – festë kombëtare. Por shtatë orë para fillimit të ngjarjes së planifikuar, qeveria e shtyu atë, për shkak të paralajmërimeve të motit ekstrem.
Stuhia e shiut, të cilën e parashikoi Shërbimi Meteorologjik Kombëtar, ndryshoi drejtimin dhe goditi pjesë të Hungarisë lindore – duke e humbur plotësisht kryeqytetin. Shërbimi kërkoi falje në faqen e tyre në Facebook të dielën, por ishte shumë vonë.
Të hënën, ministri i Inovacionit, Laszlo Palkovics shkarkoi shefat e shërbimit, me efekt të menjëhershëm. Dhe reagimet ishin të ndryshme në Hungari.
Afër 100 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion, duke bërë thirrje për anulimin e fishekzjarreve në kohë lufte në Ukrainën fqinje.
Mbështetësit e qeverisë, megjithatë, ishin të zemëruar me siç vlerësojnë ata, paaftësinë e parashikuesve dhe shpresojnë se shfaqja tani do të mbahet siç ishte planifikuar të shtunën e ardhshme./UBTNews/