Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Istog, Elianë Blakaj është shkarkuar nga ky post nga komuna e Istogut. Blakaj përmes një postimi në Facebook e akuzoi qeverisjen lokale për tradhti. Ajo thotë se arsyet e shkarkimit janë absurde.
“Arsyet e shkarkimit janë absurde dhe i takojnë stilit të një injoranti “mosbindja ndaj urdhërave të shefit”. Shkarkimi ndodhi në mënyrë tinzare dhe tradhëtare. Nuk ndodhi për shkak të mos kryerjes së detyrave të punës, por ndodhi për shkak se nënkryetari kishte dëshirë të ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë të cilën e menaxhoja dhe ky fakt tregon paaftësinë e tij për kryerjen e detyrave të cilat është i ngarkuar brenda Komunës. Ky shkarkim ndodhi, për ta fshehur paaftësinë e tij si partner i koalicionit për ta menaxhuar atë, duke parë vetën si patericë pa asnjë funksion, bëri atë që kishte mundësi të vetme”, deklaroi ajo mes tjerash.
Mes tjerash ajo tha se u shkarkua nga kjo Drejtori edhe sepse kryetari Ferati po i frikësohej punës së saj.
“Një kryetar nuk duhet t’i frikësohet një drejtoreshe e cila ka punuar ndershëm dhe drejt, përkundrazi do ishte dashur të krenohet. Apo kjo duket të ketë qenë arsyeja pse atij nuk iu kam përshtatur. Mjafton ta shihni profilin në rrjetet sociale dhe angazhimin tim dhe të tij për këtë periudhë, çdo kush që gjykon drejt mund të shohë realitetin. Unë kam ardhur në këtë pozitë nga besimi qytetarë, duke qenë femra më e votuar nga radhët e PDK-së në Istog, pa kalkulime dhe pa preferenca të kryetarit të degës”, shkroi ajo mes tjerash./UBTNews/