UBT News

Shkarkohen katër anëtarët serbë të ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka liruar nga detyra katër anëtarët serbë që ishin të ngarkuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Krasniqi, i cili ka publikuar në rrjete sociale edhe dokumentin e shkarkimit, ka thënë se tashmë ky ekip është pa status.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status.

Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković”, ka shkruar Krasniqi.

Kryesuesja e liruar nga detyra, Danjela Vujçiq, është deputete e Kuvendit të Serbisë.

Ndryshe, dje (e martë) në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq .

Aty është nënshkruar Deklarata për të Zhdukurit, ndërsa nuk është rënë dakord për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aty, Kurti ka prezantuar vizionin e tij për Asociacionin.  

Exit mobile version