Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti para pak ditësh e ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj.
Hoti në një konferencë për media ka përmendur arsyet që çuan deri te shkarkimi i Qalajt, e njëra ndër to lidhet me menaxhimin jo të mirë të aksionit në Karaçevë.
“Në bazë të raportit të performances për drejtorin e Policisë, të dorëzuar nga ministri i MPB-së, e kam liruar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Raporti i performancës thekson qartë se drejtori i Policisë ka treguar performancë jo të kënaqshme në udhëheqje, kontroll dhe mbikëqyrje të policisë, gjithashtu në menaxhimin dhe shpërndarjen e buxhetit të policisë, duke dështuar në arritjen dhe përmbushjes së objektivave të përcaktuara nga ministri”, ka thënë Hoti.
Hoti thotë se më tutje në raport për planin zhvillimor strategjik 2016-2020 kanë qenë të përcaktuara katër objektiva strategjike për Policinë e Kosovës, prej të cilave ministri i MPB-së vlerëson se luftimi i krimit dhe korrupsionet dhe avancimi i burimeve njerëzore nuk janë përmbushur, si objektiva që kanë qenë.
Shefi i Qeverisë theksoi se përveç këtyre arsyeve, është vërejtur menaxhim jo i mirë i aksionit.
“Arsye tjetër ka qenë edhe menaxhim jo i mirë i aksionit në Karaçevë, pavarësisht që ka pasur sukses në atë aksion. Tjetër çka është e rëndësishme është se në raport theksohet se gjatë vitit 2019-2020 janë arrestuar 68 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të përfshirë në vepra të ndryshme penale. Vetëm në departamentin kufitar janë arrestuar 39 zyrtarë policorë, dhe përkundër kësaj nuk është bërë asnjë ndryshim në menaxhmentin e Policisë. Më datë 11 shtator 2019, ish-drejtori Qalaj në kundërshtim me legjislacionin që rregullon procedurat e hartimit të akteve ligjore dhe nënligjore e ka ndryshuar organogramin e Policisë së Kosovës, pa e kaluar fare në procedurat ligjore dhe nuk e ka publikuar asnjëherë duke e mbajtur të fshehtë”, deklaroi Hoti./UBTNews