Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës do vazhdojnë grevën e përgjithshme edhe gjatë ditës së sotme, si shkak i mosmarrjes së pagave.
Sipas Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00 do të ketë ndërprerje totale të punës në të gjitha departamentet e transmetuesit publik.
Edhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës i ka njoftuar punonjësit se prej sot do të mbahen greva dyorëshe para objektit të radios, duke kërkuar zgjidhje urgjente nga institucionet kompetente.
Ata theksojnë se të drejtat e punëtorëve janë të garantuara me ligj dhe se mungesa e pagesave po e vë në rrezik funksionimin normal të institucionit.
“Sindikata mbetet e hapur për dialog të sinqertë e të përgjegjshëm, duke kërkuar nga menaxhmenti dhe institucionet relevante të ndërmarrin hapa urgjentë për të garantuar stabilitet financiar, kushte të dinjitetshme pune dhe respektim të të drejtave të punëtorëve të RTK-së”, thuhet në njoftimin e Sindikatës./EO
