Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për shpërdorim të pasurisë së huaj për një automjet. 23-vjeçari kishte marrë hua një veturë nga një person tjetër, e të cilën më pas e kishte shitur në Lipjan.
Arrestimi i tij është bërë të dielën në ora 19:20 nga Policia e Stacionit në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj.
“Policët hetues, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kanë arrestuar personin L.Q ( M/K) i moshës 23 vjeçar, i cili pasi kishte marrë në shërbim një veturë nga personi E.J ( M/K) i moshës 22 vjeçar, e kishte shitur atë në qytetin e Lipjanit një personit tjetër… Nga hetimet e para, sipas ankuesit, dy të dyshuar i kanë marrë dy automjete në shërbim dhe nuk ishin lajmëruar më. I dyshuari i parë L.Q është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme. Rasti është cilësuar ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, ndërsa vetura i është kthyer pronarit”, thuhet në komunikatë.
Në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër për shpërdorim të pasurisë së huaj për një automjet tjetër ndaj të njëjtit pronar.