Dikur, xhihadistët zbatonin ligjin e tyre të sheriatit në sheshin Al-Naim të Rakës, duke kryer ekzekutime prej më të ndryshmeve ndaj atyre që ata i konsideronin apostatë apo kriminelë.
Vetëm pak vite më parë, ky shesh ishte skena e zymtë për ekzekutimet publike. Ndërsa sot, sheshi në fjalë është shndërruar në një vend takim për të dashuruarit.
“Më parë shmangnim kalimin pranë tij që të mos shihnim gjak dhe tmerr”, thotë Hussein, një banor i Rakës.
Rrethi i trafikut Al-Naim, që në shqip nënkupton lumturi dhe rehati, ishte çdo gjë tjetër veçse kuptimit të tij – kur grupi ISIS drejtonte Rakën, ish-kryeqytetin e tyre de fakto sirian – nga viti 2014 e deri më 2017.
Banorët e quajtën atë “rrethrrotullimi i ferrit”.
Policia e ISIS e bëri të pamundur takimin e të dashuruarve, qoftë edhe privatisht, pa rrezikuar vdekjen.
“Unë kurrë nuk guxova të takohesha personalisht me të dashurën time; ne flisnim vetëm në telefon, nga frika se mund të na vrisnin me gurë si ndëshkim”, thotë Hussein.
Dy vjet pasi ISIS u shpall i mundur në Siri, sheshi i rinovuar është shumë ndryshe nga ajo që njerëzit ishin mësuar të shihnin aty.
Kolona me harqe janë ndërtuar rreth një shatërvani të ri qendror, duke zëvendësuar gardhin metalik në thumbat e të cilit një xhihadist i të ashtuquajturit Shteti Islamik dikur vuri në shtyllë kokat që sapo i kishte prerë, përpara se të pozonte për një foto.
Stola janë vendosur pranë pishinave anësore eliptike. Natën, dritat shumëngjyrëshe e kthejnë sheshin në një atraksion për banorët.
Tani rrethrrotullimi është i rrethuar nga kafene dhe restorante, duke e bërë atë një vend të njohur për familjet dhe çiftet.
“Sheshi Al-Naim është kthyer nga ferri në parajsë… edhe të dashuruarit vijnë këtu tani”, tha 24-vjeçari Manaf.
Mohammad al-Ali, 37 vjeç dhe gruaja e tij ulen krah për krah, duke parë tre fëmijët e tyre teksa luajnë rreth një prej pishinave bosh, skenë kjo që ishte e paimagjinueshme para katër vitesh.
“Ne kurrë nuk i sollëm fëmijët këtu [në mënyrë] që të mos shihnin kokat e prera të varura”, tha ai për AFP.
“Por sot sheshi është një hapësirë për familjet dhe fëmijët”.
Jeta po shtohet ngadalë në Raka, ku ndërtesat e rrafshuara dhe gjurmët e të ashtuquajturit Shteti Islamik japin kujtime të qarta të epokës së errët të sundimit xhihadist.
Pikërisht në këtë vend, grupi vrau me gurë njerëz për vdekje, hodhi nga çatitë burra gjoja homoseksualë dhe nxirrte në ankand gra nga minoriteti Yazidi si skllevër.
Disa kilometra larg sheshit Al-Naim, një tjetër rrethrrotullim më i vogël dikur famëkeq, i përdorur nga i ashtuquajturi Shteti Islamik për ekzekutime, ka rifituar gjithashtu gjallëri, kjo për shkak të vendndodhjes së tij pranë një tregu popullor.
“Ky rrethrrotullim na kujton tragjedinë që jetuam… na kujton vdekjen dhe vuajtjet”, thotë Ahmad al-Hamad, i cili po kalonte sheshin me karrocën e tij.
“Ne kemi parë prerjen e kokave dhe duarve dhe ekzekutimet e kryera duke përdorur shpata”, thotë ai.
Disa nga të afërmit e tij u ekzekutuan në këtë shesh.
“Ne kishim frikë edhe të kalonim këtu”, thotë ai./UBTNews/