Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil, Mursel Zymberi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se të gjitha partitë politike që mendojnë se mund ta qeverisin vendin, duhet po ashtu të kenë gatishmërinë që të merren me probleme të shërbyesve civil.
Madje ai tha se tashmë ka filluar fushata zgjedhore dhe kanë vendosur që të bisedojnë me partitë politike fituese të zgjedhjeve për t’i realizuar kërkesat e tyre humane.
“Deri më tani kemi bërë të njohur qëndrimin tonë në lidhje me kërkesat që janë substanciale dhe humane dhe me këtë rast qeveritë deri më tani nuk kanë pasur disponim ose gatishmërinë e duhur për t’u marrë me probleme të shërbyesve civil. Tani që ka filluar fushata zgjedhore, ne si sindikatë e shërbyesve civil kemi vendosur që të bisedojmë me partitë politike potenciale fituese të zgjedhjeve të cilat janë dhe në një rast që jemi takuar i kemi shpalosur kërkesat tona dhe vërtetë ata e shohin që janë kërkesa humane të parapara me ligj të zbatueshme për sektorë të tjerë dhe shpresoj që me këtë të hasim në mirëkuptim”, u shpreh tutje ai.
Zymberi theksoi se ka një pakënaqësi të shërbyesve civil sa i përket mos ngritjes së pagave, raporton EO.
“Në kemi kërkuar me këmbëngulje që të bëhet aprovimi i Ligjit të pagave dhe njëherë e mirë të zgjidhet kjo çështje në nivel të vendit. Vendimi i qeverisë së kaluar për ngritje të pagave për sektorë të caktuar e ka nxjerrë edhe atë pak rregull që ka qenë. Ne kemi një diskrepancë të madhe të pagave për sa i përket sektorëve të caktuar dhe një pakënaqësi të madhe të shërbyesve civil. Cilado qeveri që pretendon me udhëheqë me vendin duhet ta ketë parasysh se shtetin e mban vetëm një organizatë ose një organizatë profesionale mirë e organizuar, ashtu sikur që është shërbimi civil dhe administrate publike mirë funksionale, por gjithnjë duke trajtuar në mënyrën e merituar. Ne asnjëherë nuk kemi pasur kërkesa që ka dalë mbi kërkesat e sektorëve të tjerë përveç që kemi kërkuar nivelim dhe trajtim të barabartë të pagave me sektorë të tjerë. Kjo deri më tani nuk ka ndodhur dhe duhet ta kenë parasysh qeveria që do ta marrë pushtetin që sigurisht që do të ketë probleme të theksuara dhe nuk do të arrijnë qëllimin në rast se vazhdon me këtë diskriminim me shërbyes civil”, shtoi ai.
Tutje, ai është shprehur i gatshëm që shërbyesit civil do ta mbështesin cilën do parti që u premton plotësimin e kërkesave të tyre.
“Deri më tani me duhet ta falënderojë edhe pse nuk është në Kosovë ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili ka qenë i vetmi që ka bërë ngritje të pagave dhe ka zbatuar marrëveshjen e nënshkruar që kemi pasur me të. Asnjëherë deri më tani dikush tjetër nuk ka bërë asgjë në interes të shërbyesve civil. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjitha partitë politike dhe të marrin model diçka që është e mirë nga kushdo që ka qeverisur vendin. Në këtë rast bisedimet që kemi pasur me udhëheqës të Vetëvendosjes kanë premtuar se do t’i rishikojnë kërkesat tona dhe që janë shumë të drejta dhe në rast se marrin përsipër me zbatu një kërkesë që është shumë humane pa ndonjë implikim buxhetor jemi të gatshëm ta mbështesim atë parti që premton se do të zbatojë kërkesat tona substanciale”, tha Zymberi.
Zymberi shtoi se të gjitha partitë politike që mendojnë se mund ta qeverisin vendin duhet ta kenë vullnetin të plotësojnë kërkesat e tyre substanciale.
“Të gjitha partitë politike që mendojnë se mund ta qeverisin vendin nëse kanë vullnetin kanë mundësi të plotësojnë kërkesat tona janë shumë substanciale. Përderisa qeveria pat mundësinë t’i ngrisë rrogat edhe për nga 100% më shumë ne asnjëherë se kemi kërkuar ato çështje dhe kanë mundësi. Përndryshe sado që kanë për t’i ikur përgjegjësitë do të gabojnë rëndë sepse ka rënë vullneti i shërbyesve civil”, përfundoi ai.