UBT News

​Shërbimi i komunikimit në Gaza do të ndalet gjatë orëve në vijim

Shërbimet e komunikimit në Gaza do të ndalen totalisht gjatë orëve të ardhshme mes një mungese të karburanteve, paralajmëroi të mërkurën autoriteti rregullator palestinez i telekomunikacionit.

“Numërimi mbrapsht ka filluar për ndalimin e të gjitha shërbimeve të komunikimit dhe internetit në Rripin e Gazës”, tha në një deklaratë Laith Daraghmeh, kryeshefi Ekzekutiv i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

Ai shtoi se janë duke u zhvilluar kontakte me institucionet ndërkombëtare “për të siguruar hyrjen e sasive të karburantit të nevojshëm për funksionimin e shërbimit të komunikimit”.

Të dielën, ministri palestinez i Komunikimeve, Yitzhak Sidr paralajmëroi se të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit do të ndalojnë në Rripin e Gazës deri të enjten për shkak të mungesës së karburantit.

Izraeli ka ndaluar dërgesat e karburantit në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Ndërsa sulmi izraelit në Rripin e Gazës hyri në ditën e tij të 40-të, të paktën 11 mijë e 320 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë mbi 7 mijë e 800 gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 29 mijë e 200 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.

Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar. Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200, sipas shifrave zyrtare. /AA

Exit mobile version