UBT News

Shënohet 24-vjetori i Epopesë së Dukagjinit

Epopeja e Dukagjinit i dha një dimension të ri luftës sonë, e cila e dridhi makinerinë serbe. Kështu u tha në manifestimin qendror me rastin e 24-vjetorit të shënimit të “Epopesë së Dukagjinit”.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj me këtë rast ka përkujtuar veprën sublime të luftës së UÇK-së për lirinë që ne gëzojmë sot.

“24 marsi është data që na bënë krenarë tërë kombin…Për ta kuptuar madhështinë e kësaj date duhet jetuar e përjetuar kontekstin kohore të viteve ’90, pikërisht të marsit 1998 deri në këtë kohë po mburreshin me përpjekjet tona për liri e që veniteshin e përfundonin me arrestime, burgosje e vrasje. Jemi në vitet kur u bë e zakonshme të silleshim si të nënshtruar ndaj persekutimit që bënte kundër nesh pushtuesi serb me aparatin shtetëror gjenocidial në të gjitha dimensionet jetësore dhe lavdia në këtë kohë mori rrugën e vet, Jasharët në Prekaz e Haradinajt në Gllogjan… Më 24 mars 1998, për herë të parë do të nderojmë krenarinë tonë sepse atë ditë kremtuam fitoren ndaj pushtuesit, atë ditë triumfuam si komb. Në këtë ditë përjetësisht morën lavdinë e do të kenë nderin tonë të brezave luftëtarët që ranë dëshmorë Gazmend e Agron Mehmetaj dhe Him Haradinaj”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani u shpreh e nderuar që merr pjesë në shënimin e Epopesë së Dukagjinit, duke thënë se sakrifica e atyre që ranë për liri nuk do të harrohet kurrë.

“Ky fshat ku jemi këtu është një nga vendet e shenjta të shqiptarëve Gllogjani i kullave të Dukagjinit i ka qëndruar stoikisht jo vetëm armëve, por idesë për liri, drejtësi dhe barazi. Unë jam një qytetare e Preshevës që qëndron sot para jush dhe jam e nderuar të jem këtu në mesin tuaj si bija e këtij vendi dhe e këtij kombi. Gllogjani nuk është vend i panjohur për bashkëqytetarët e mi që kemi kaluar një luftë të përbashkët për të njëjtin qëllim, por ky vend nuk na ka harruar në kohë krizash dhe prapë i është bashkangjitur dhe dëgjuar klithmat tona për ndihmë dhe thirrjeve tona për liri. Ndihem e nderuar por jo si një e huaj, si një mysafire, pasi unë jam këtu në shtëpinë time, në trungun tim dhe vendin tim… Neve në fakt na ndajnë kufijtë, por votra jonë është vetëm një, një atdhe, një gjuhë dhe një ndjenjë për liri prej brezash të shtypur në çdo të drejtë të tij… Sakrifica e këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre është e madhe dhe dhimbje për ta”, tha ajo.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku tha se Epopeja e Dukagjinit dha dimension të ri luftës sonë.

“Historia jonë e re është e mbushur plot me ngjarje e lavdishme, data të lavdishme. Epopeja e Dukagjinit i dha një dimension të ri luftës sonë, e cila në thelb e dridhi makinerinë serbe, sepse mendonin se me shuarjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe shuarjen e familjes Jashari do të shuhen edhe përpjekjet e armatosura të popullit tonë për liri, por nuk doli ashtu. Dukagjini u bë vatër e rezistencës së paparë deri atëherë, fshatrat e Dukagjinit, Jabllanica, Smolica u bënë vatra të rezistencës, por edhe qendra të furnizimit të trajnimit të ushtarëve të UÇK-së nga e gjithë Kosova”, tha ai.

Protagonisti i betejës së 24 marsit, Daut Haradinaj tha se janë ngjarjet e marsit ato që sollën lirinë e popullit tonë.

“Marsi shënon Epopenë e Jasharëve dhe shembullin se si duhet atdheu, marsi shënon Epopenë e Dukagjinit dhe gatishmëria për sakrificë dhe marsi po ashtu shënon aleancën e përjetshme me NATO-në krye me SHBA-në dhe pikërisht këto tri ngjarje dhe shumë ngjarje që pasuan pastaj qofte në Koshare apo kudo në Kosovë sollën liri”, tha Haradinaj.

Një fjalë rastin para të pranishmëve ka mbajtur edhe baca Rifat Jashari nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Jashari: Lavdi dhe respekt gjithë atyre bijë dhe bijave që dhanë gjakun e njomë (Video)

“Sot jemi tubuar këtu falë Zotit, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i kujtojmë bijtë dhe bijat më të mira të kombit tonë shqiptarë…Lavdi dhe respekt gjithë atyre bijë dhe bijave që dhanë gjakun e njomë, ia kthyen pushkën serbit”, tha Jashari.

Ndryshe, sot janë bërë 24 vjet nga beteja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës në Gllogjan që ndryshe njihet si Epopeja e Dukagjinit.

Exit mobile version