Prokuroria Speciale e Kosovës ka informuar sot se ka shënjestruar dy raste të reja me 47 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se në rastin e parë janë të përfshirë 23 persona për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit”, “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Gjithashtu, lidhur me këtë rast, sipas komunikatës, janë sekuestruar asete dhe mjete monetare, ka ngrirje afatgjate për prona të paluajtshme dhe xhirollogarive bankare.
“Janë sekuestruar shtatë (7) banesa dhe tokë bujqësore/ parcele 10,591 m2; Ngrirje të xhirollogarisë bankare me vlerë monetare 186,861.75 euro; Janë sekuestruar katër (4) vetura të markave të ndryshme; Janë sekuestruar pasuri të luajtshme me vlere, si dhe para të sekuestruara kesh”, është bërë e ditur në komunikatë.
Rasti i dytë i shënjestruar nga Prokuroria Speciale ka të bëjë me 24 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.