Një hotel në Tokio ka kërkuar falje dhe ka larguar shenjat “Vetëm për japonezët” dhe “Vetëm për të huajt” në ashensore pasi kjo masë antiCOVID nxiti reagime në rrjetet sociale para Lojërave Olimpike.
Tokio më 12 korrik shpalli gjendje emergjente pas shqetësimeve se fluksi i dhjetëra mijëra atletëve dhe zyrtarëve gjatë Lojërave Olimpike që do të mbahen nga data 23 korrik deri më 8 gusht do të përhapin koronavirusin, rastet e të cilit tashmë po rriten në kryeqytetin japonez.
Hoteli Akasaka Excel Tokyu në qendër të Tokios, vendosi këto shenja të premten për të ndarë mysafirët që kanë ardhur enkas për Lojërat Olimpike nga ata që po qëndrojnë në hotel.
Një zyrtar i hotelit, që nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se nuk kishin tendenca t’i diskrimonin të huajt.
“Ne tentuam që ta bëjmë sa më të qartë, por shkaktoi keqkuptime”, deklaroi zyrtari. Ai njoftoi se shenjat janë larguar mëngjesin e së dielës dhe në hotel po diskutohet se çfarë shprehje të vendosin.
Kjo shenjë ngjalli reagime në rrjete sociale, teksa një përdorues në Twitter shkroi se “Aparteidi është ringjallur në Japoni”.
“Virusi s’ka lidhje me kombësi”, shkroi një tjetër në Twitter.
Vetëm 28% e popullsisë së përgjithshme në Japoni kanë marrë së paku një dozë vaksine./UBTNews