UBT News

Shenjat e çrregullimit të të ngrënit

Për një sëmundje që prek kaq shumë njerëz, ka shumë keqkuptime rreth çrregullimeve të të ngrënit, thonë ekspertët.

Çrregullimet e të ngrënit prekin pothuajse një në dhjetë njerëz në mbarë botën, sipas organizatës jofitimprurëse ANAD, e cila ofron shërbime mbështetëse për njerëzit në këtë gjendje shëndetësore.

E megjithatë në një kulturë ku dikush gjykohet për peshën e trupit dhe kufizimet në ngrënie janë të përhapura, është shumë e lehtë që çrregullimet e të ngrënit të normalizohen, deklaroi Jennifer Rollin, themeluese e Qendrës mbi Çrregullimet e Ushqimit në Rockville, Maryland. Sipas saj, kjo gjendje shëndetësore i kërcënon njerëzit nga mirëqenia dhe jeta e shëndetshme.

Çfarë përcakton një çrregullim të të ngrënit?

Për ta thënë thjesht, një “çrregullim i të ngrënit është një çrregullim psikiatrik, i karakterizuar nga çrregullime që hasen në sjelljen e të ngrënit dhe të ushqyerit që shkakton dëmtim të konsiderueshëm në aftësinë e dikujt për të funksionuar normalisht”, tha Stuart Murray, një profesor i asociuar i psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Më konkretisht, çrregullimet e të ngrënit janë sëmundje biopsikosociale, shtoi Leah Graves nga Accanto Health, një sistem shëndetësor për trajtimin e çrregullimeve të të ngrënit.

Tiparet e trashëguara si dhe faktorët psikologjikë sikurse temperamenti dhe personaliteti dhe faktorët social si ngacmimi, stigma dhe trauma ndikojnë që dikujt t’i zhvillohen çrregullimet e të ngrënit. Por vetëm për shkak se njerëzit mund të kenë çrregullime të të ngrënit në familjen e tyre dhe mund të kenë predispozita të trashëguara, nuk do të thotë se ata do të zhvillojnë një çrregullim, tha Graves.

Anoreksia nervore, bulimia nervore, çrregullimi i ngrënies së tepërt, si dhe forma tjera të ushqyerjes dhe të ngrënit janë disa prej çrregullimeve.

Nëse jeni të shqetësuar për sjelljen tuaj, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale, tha Rollin. Ajo rekomandoi kontaktin me terapistët që janë të specializuar në çrregullimet e të ngrënit, në mënyrë që ata të bëjnë vlerësime dhe të rekomandojnë se çfarë profesionistësh të tjerë duhet të sjellin./UBTNews/

Exit mobile version