Tre fëmijë vdiqën si pasojë e shembjes së një ndërtese në një provincë jugore në Egjipt të hënën.
Ekipet e shpëtimit ia dolën që të shpëtojnë nëntë persona të cilët kishin ngecur nën rrënojat e ndërtesës dykatëshe në provincën Beni Suef, rreth 111 kilometra larg nga Kajro.
Dy vëllezër, njëri 8 vjeç e tjetri 12 dhe motra e tyre 11-vjeçare vdiqën, raportojnë mediat e huaja. Edhe tre fëmijë tjerë pësuan lëndime.
Shkaqet e shembjes së objektit nuk dihen ende, por këto incidente janë të shpeshta në Egjipt ku kriteret e ndërtimit nuk respektohen.
Në muajin shtator, një ndërtesë katërkatëshe u shemb në qytetin Shoubra el-Khaima, afër Kajros, duke lënë të vdekur së paku tre persona.
Qeveria egjiptiane së fundi e filloi një fushatë kundër ndërtimeve ilegale në gjithë vendin, duke vënë në pranga shkelësit dhe në shumë raste ka rrënuar objektet pa leje./UBTNews