UBT News

Shefja e UNEP-it: Traktati për plastikën do të ishte historik për planetin!

Bota ka një mundësi të rrallë për të pastruar planetin për brezat e ardhshëm duke u bashkuar pas një traktati ambicioz për të trajtuar mbeturinat plastike, tha për AFP-në shefja e mjedisit e OKB-së, përcjell UBT News.

Inger Andersen tha se një traktat global që po negociohet në Nairobi “mban potencialin dhe premtimin për të qenë përparimi më i madh mjedisor shumëpalësh” që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Parisit për klimën në 2015.

“Ky është një moment i madh, një për librat e historisë”, i tha AFP-së drejtoresha ekzekutive e Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP) në një intervistë.

Korniza për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të plastikës është ende duke u hartuar përpara një samiti mjedisor të OKB-së që fillon të hënën në Nairobi, ku edhe ka selinë UNEP.

Ka propozime konkurruese që po shqyrtohen, por më shumë se 50 vende kanë mbështetur thirrjet për një traktat që përfshin kontrolle të reja të ashpra mbi plastikën.

Kjo mund të përfshijë kufizime në prodhimin e plastikës së re, ose heqjen graduale të produkteve me përdorim të vetëm që mbytin oqeanet dhe jetën detare dhe duhet shekuj për t’u prishur.

Delegatët që takohen në Nairobi pritet të bien dakord mbi modelin e gjerë të një traktati dhe të krijojnë një komitet negociues për të finalizuar kushtet, një proces që do të zgjasë të paktën dy vjet.

Andersen tha se ishte shumë herët për të spekuluar rreth detajeve specifike të traktatit, por theksoi se ishte “e pashpresë” të përpiqesh të frenosh mbeturinat plastike pa iu drejtuar burimit.

Rreth 400 milion ton plastikë të re prodhohen çdo vit – një shifër që pritet të dyfishohet deri në vitin 2040, transmeton UBT News.

Më pak se 10 për qind e plastikës riciklohet, pjesa tjetër digjet ose hidhet në tokë ku shpesh përfundon në lumenj dhe derdhet në det më pas lëviz nëpër botë.

Pjesët e mëdha të plastikës janë të rrezikshme për gjitarët dhe krijesat e detit – por edhe kur substanca zbërthehet nga veprimi i detit në mikro-grimca, edhe kjo përthithet nga organizmat e vegjël dhe kalon në zinxhirin ushqimor te peshqit e që më vonë hahen nga njerëzit.

“Nëse vazhdoni të ndotni këtu dhe të pastroni atje, kjo është një punë e përjetshme”, tha Andersen.

Shumë vende, duke përfshirë prodhuesit kryesorë të plastikës si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kanë shprehur mbështetje të përgjithshme për një traktat, por nuk kanë miratuar publikisht ndonjë masë specifike.

Dhjetra korporata të mëdha, duke përfshirë Coca Cola dhe Unilever, kanë bërë thirrje për një traktat global, siç kanë bërë disa nga prodhuesit më të mëdhenj të plastikës në botë.

Por grupet mjedisore kanë paralajmëruar se gjigantët e plastikës po i rezistonin përpjekjeve për të kufizuar prodhimin dhe do të përpiqeshin të drejtonin bisedimet në Nairobi drejt ripërdorimit dhe riciklimit të mbetjeve.

Andersen tha se ajo ishte e inkurajuar nga angazhimet e industrisë – por përpjekjet vullnetare nuk kishin arritur të trajtonin krizën.

Plastika tashmë është aq e përhapur saqë është gjetur brenda peshqve në skutat më të thella të oqeanit, nëpër akullin e detit Arktik dhe në ajrin që ne thithim.

“Ne duhet të kuptojmë se plastika është pjesë e jetës sonë – ne e përdorim atë në ndërtim, në mjekësi, në vende ku kemi nevojë. Por ne e përdorim atë edhe në vende ku nuk kemi nevojë”, tha ajo.

Protokollet e kaluara globale kishin hequr gradualisht merkurin dhe substancat që shkatërronin ozonin, dikur të zakonshme në mallrat shtëpiake, duke treguar se ishte e mundur të arrihet konsensus përtej kufijve dhe të nxiste ndryshime në mbarë ekonominë.

Tashmë sasia e plastikës që hyn në rrugët ujore të botës pritet të trefishohet deri në vitin 2040 nëse nuk ndërmerren veprime drastike.

“Ne nuk kemi dhjetë vjet për ta bërë këtë, ne duhet ta bëjmë atë, dhe shpejt”, tha Andersen.

Një propozim traktati nga Ruanda dhe Peruja ka tërhequr mbështetjen më të madhe përpara samitit të OKB-së, me 27 anëtarë të Bashkimit Evropian midis dhjetëra bashkë-sponsorizuesve.

Teksti është ende duke u negociuar, si dhe dy projekt-rezoluta të tjera të traktatit./UBTNews/

Exit mobile version