UBT News

Shefja e politikës së jashtme të BE-së: Nuk mund të funksionojë asnjë marrëveshja për Ukrainën pa miratimin e Ukrainës

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se çdo negociatë në lidhje me Ukrainën duhet të përfshijë Kievin dhe liderët evropianë, duke paralajmëruar se “asnjë marrëveshje pa Ukrainën dhe Evropën nuk mund të funksionojë”.

Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Kallas hodhi poshtë nocionin se diskutimet midis Rusisë dhe palëve të tjera mund të përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës pa përfshirjen e saj.

Mund të diskutoni çfarë të doni me Putinin, por nëse bëhet fjalë për Evropën ose Ukrainën, atëherë Ukraina dhe Evropa gjithashtu duhet të bien dakord për këtë marrëveshje“, tha ajo.

Kallas theksoi gjithashtu shqetësimet për ndikimin rus në SHBA pas rizgjedhjes së Trumpit si president.

Nëse shikoni mesazhet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, atëherë është e qartë se narrativa ruse përfaqësohet shumë fuqishëm“, vuri në dukje ajo, duke shtuar se ishte vendimtare për Evropën që të ruante unitetin në marrëdhëniet e saj me Washingtonin.

Sa i përket ndihmës ushtarake, Kallas ritheksoi angazhimin e BE-së për të mbështetur Ukrainën, duke thënë: “Nëse Ukraina qëndron e palëkundur, atëherë çdo plan pa Ukrainën apo Evropën thjesht nuk do të funksionojë”.

Ajo theksoi gjithashtu diskutimet mbi një Iniciativë të re të Mbrojtjes për t’i ofruar Ukrainës municione dhe pajisje ushtarake në afat të shkurtër.

Teksa lufta Moskë-Kiev vazhdon, Kallas paralajmëroi se “deri më tani, Putini dhe Rusia nuk duan paqe”, gjë që sipas saj, i bën diskutimet mbi sigurinë evropiane dhe mbrojtjen e Ukrainës edhe më urgjente.

Exit mobile version