UBT News

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut do të vizitojë regjionin e Xinjiang në maj të këtij viti

Kryetarja e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së tha se do të bënte një vizitë në Kinë këtë maj, duke përfshirë regjionin Xinjiang, vend ky ku ligjvënësit perëndimorë kanë akuzuar Pekinin për gjenocid, përcjell UBT News.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se së fundmi kemi arritur një marrëveshje me qeverinë e Kinës për një vizitë”, i tha Michelle Bachelet Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Ajo tha se agjencia e të drejtave të OKB-së, OHCHR, dhe Pekini kishin “filluar përgatitjet konkrete për një vizitë që parashikohet të bëhet në maj”.

Prej kohësh ka pasur thirrje që Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut të vizitojë Xinjiang.

Grupet e të drejtave thonë se të paktën një milion minoritete – kryesisht myslimane – janë burgosur në të ashtuquajturat “kampet e riedukimit” në Xinjiang, një rajon ku Kina akuzohet për abuzime me të drejtat e njeriut duke përfshirë sterilizimin e detyruar të grave dhe punën e detyruar.

Qeveria amerikane dhe ligjvënësit në pesë vende të tjera perëndimore e kanë deklaruar trajtimin e Kinës ndaj ujgurëve në Xinjiang një “gjenocid” – akuzë kjo e mohuar nga Pekini.

Kina thotë se po drejton qendra të trajnimit profesional në rajon të krijuara për të luftuar ekstremizmin.

Qeveria kineze ka thënë prej vitesh se Bachelet ishte e mirëpritur për të vizituar Xinjiang, por një marrëveshje mbi kërkesën e saj për “akses kuptimplotë dhe të papenguar” deri më tani është dukur e pakapshme./UBTNews/

Exit mobile version