Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen zbuloi të martën propozimin për komisionerët e rinj. Ajo në një konferencë shtypi, shpalosi sugjerimet për përbërjen dhe strukturën e re të komisionit pas javësh kërkimi për të gjetur ekuilibrin gjinor.
Çdo komisioner i propozuar duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së pas marrjes në pyetje përpara komisioneve parlamentare, një proces që mund të zgjasë deri në fund të tetorit, sipas vlerësimeve. Von der Leyen njoftoi se komisioni i ri do të ketë katër gra dhe dy burra në mesin e nënkryetarëve ekzekutivë.
Ministri i Jashtëm francez në largim, Stephane Sejourne, i cili u emërua si kandidat nga Franca të hënën pas dorëheqjes së papritur të komisionerit Thierry Breton, u propozua si zëvendëspresident ekzekutiv për prosperitetin dhe strategjinë industriale. Sejourne u propozua gjithashtu për të trajtuar portofolin e industrisë, SME-ve dhe Tregut të Vetëm.
Breton, komisioneri evropian i Francës për tregun e brendshëm, akuzoi Von Der Leyen se e minoi atë duke i kërkuar Francës që të tërheqë emrin e tij “për arsye personale”. Ai tha se von Der Leyen kishte “ofruar, si një shkëmbim politik, një portofol gjoja më me ndikim për Francën në Kolegjin e ardhshëm”.
Ish-kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas u emërua Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Teresa Ribera e Spanjës u emërua për të punuar në tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues, ndërsa finlandezja Henna Virkkunen u zgjodh për të trajtuar Sovranitetin Teknik, Sigurinë dhe Demokracinë. Roxana Minzatu e Rumanisë do të jetë përgjegjëse për njerëzit, aftësitë dhe gatishmërinë. Raffaele Fitto nga Italia, u emërua për të trajtuar Kohezionin dhe Reformat.
– Komisionerët
Marta Kos, e cila është në pritje të miratimit nga parlamenti slloven për emërimin e saj, u emërua komisionere përgjegjëse për zgjerimin.
Ministrja e Jashtme belge Hadja Lahbib është një kandidat për portofolin e Përgatitjes dhe menaxhimit të Krizave, si dhe për Barazinë.
Polaki Piotr Serafin do të jetë përgjegjës për buxhetin, ndërsa Magnus Brunnes i Austrisë do të ketë portofolin e Punëve të Brendshme dhe Migracionit.
Andrius Kubilius i Lituanisë u propozua për komisioner për Mbrojtjen dhe Hapësirën.
Sipas planeve të Von Der Leyen, Dan Jorgensen i Danimarkës do të merret me Energjinë dhe Strehimin./AA/