Lufta e furishme mes Izraelit dhe Hamasit tashmë po godet ekonomitë e vendeve fqinje, tha drejtorja menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar në një forum investitor saudit të mërkurën.
“Shikoni vendet fqinje – Egjipti, Libani, Jordania – atje kanalet e ndikimit janë tashmë të dukshme”, tha Kristalina Georgieva në Iniciativën e Investimeve të Ardhshme (FII) në kryeqytetin saudit Riad.
Kështu deklaroi ajo një ditë pasi analistët e Wall Street paralajmëruan se lufta mund t’i jetë goditje e rëndë për ekonominë globale, veçanërisht nëse përhapet edhe në vende të tjera.
“Kjo që ne po shohim është më shumë se tronditje në botën e shqetësuar. Ka vende të varura nga turizmi – pasiguria është vrasës i flukseve të turistëve”, deklaroi ajo mes tjerash.
Ngjarja vjetore FII, e quajtur “Davos në shkretëtirë”, ka shërbyer si shans për Arabinë Saudite që të nxjerrë në pah reformat e brendshme ekonomike, suksesi i të cilave sipas zyrtarëve sauditë varet nga stabiliteti rajonal./UBTNews/