Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përsëriti mbështetjen e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Ukrainës, duke thënë se “nuk ka dyshim se këta njerëz të guximshëm që mbrojnë vlerat tona me jetën e tyre i përkasin familjes evropiane”.
Von der Leyen tha se blloku mund t’u sigurojë refugjatëve ukrainas mbrojtje, qëndrim, qasje në punë dhe strehim, duke shtuar se “nuk është vetëm një akt dhembshurie në kohë lufte, por është edhe detyra jonë si evropianë”, citon CNN.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rumun Klaus Iohannis, Von Der Leyen njoftoi krijimin e një “qendre të mbrojtjes civile për Ukrainën” me bazë në Rumani për të ndihmuar për nevojat humanitare.
Von der Leyen tha se “ne po ofrojmë mbështetje humanitare për t’u përballur me pasojat e kësaj lufte” dhe “do të shpërndajmë të paktën 500 milionë euro nga buxheti i BE-së në ndihmë humanitare dhe sigurisht që ndihmat edhe do të rriten. Ndërsa ne duhet të përgatitemi për pasojat shkatërruese të kësaj lufte mizore”, ka thënë ajo.
Presidentja Von der Leyen, tha poashtu se BE po përgatitet në rast të “hakmarrjes” nga Rusia, duke punuar për të diversifikuar furnizimet e saj me energji. Ajo ka njoftuar gjithashtu për planet për të lidhur Ukrainën me rrjetin evropian të energjisë elektrike.
“Në këtë situatë ne jemi së bashku dhe do ta shoqërojmë Ukrainën në këtë proces me vendosmëri, unitet dhe solidaritet. Ne do të kujtojmë gjithmonë vendosmërinë dhe guximin e popullit të Ukrainës. Ata janë një frymëzim për të gjithë ne. Fokusi ynë është t’i japim fund kësaj lufte”, ka thënë ajo.
Von der Leyen po viziton disa shtete të Evropës Juglindore, Rumani, Sllovaki, etj, për t’i falënderuar ato për gatishmërinë e tyre në mbështetje të plotë të Ukrainës.