UBT News

Shefja e BE-së thotë se sulmi i Hamasit është akt terrorist që pasqyron “të keqen e lashtë”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se sulmi i kryer nga grupi militant Hamas kundër civilëve në Izrael është një akt terrorist dhe pasqyron një “të keqe të lashtë”.

“Në agimin e Shabatit, të shtunën e kaluar, e gjithë bota u zgjua nga tmerri. Qindra njerëz të pafajshëm u vranë me gjakftohtësi”, deklaroi von der Leyen të mërkurën në takimin javor të komisionarëve evropianë në Bruksel.

I ftuar në takim ishte ambasadori i Izraelit në BE dhe NATO, Haim Regev.

“Terroristët e Hamasit vranë gra dhe fëmijë në shtëpitë e tyre. Këta të pafajshëm u vranë vetëm për një arsye. Sepse ata ishin hebrenj dhe jetonin në shtetin e Izraelit. Është një e keqe e lashtë, e cila na kujton të kaluarën më të errët dhe na trondit të gjithëve deri në palcë”, tha von der Leyen, duke shtuar se “ne duhet të jemi të qartë në përcaktimin e këtij lloj tmerri. Është terrorizëm dhe është një akt lufte”.

Exit mobile version