Kreu i grupit mercenarë rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin ka treguar se cili do të jetë objektivi i tyre i radhës. Ai deklaroi se detyra e radhës e luftëtarëve të tij mund të jetë mbrojtja e territorit rus.
“Së pari, na duhet të paktën një muaj shërim pas muajsh luftimesh në Bahmut. Detyrat e radhës mund të zhvillohen në territorin rus”, tha Prigozhin para gazetarëve ushtarakë rusë, raporton CNN.
Le të kujtojmë se grupe vullnetarësh rusë që kundërshtojnë regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin, sulmuan Belgorodin, një rajon kufitar në Rusi. Kremlini tha se i zmbrapsi sulmet.
Mercenarët e Wagnerit duhet të largohen nga zona e Bakhmutit deri më 5 qershor dhe ata do të zëvendësohen nga forcat e rregullta të ushtrisë ruse.
Prigozhin tha se njësitë Wagner do të vendosen përkohësisht në kampet e pasme në rajonet Donetsk dhe Luhansk, larg vijës së frontit.
Ndryshe, Prigozhin kohët e fundit ka pasur sulme verbale ndaj qeverisë ruse me arsyetimin se nuk po furnizohen me armë nga ministria e Mbrojtjes.