Shefi i ushtrisë izraelite vuri në pah dështimet që çuan drejt sulmit nga Hamasi në fundjavë.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit janë përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe qytetarëve, dhe në mëngjesin e së shtunës, në zonën afër Rripit të Gazës, ne nuk ia arritëm”, deklaroi Herzi Halevi në prononcimin e parë që nga nisja e luftës.
“Ne do të mësojmë, do ta hetojmë, por tani është koha për luftë”, shtoi ai.
Lideri ushtarak u zotua se do ta godasin fuqishëm Gazën.
“Yahya Sinwar, sundimtari i Rripit të Gazës, vendosi për këtë sulm të tmerrshëm, dhe për këtë arsye ai dhe i gjithë sistemi nën të janë të dënuar. Ne do t’i sulmojmë, do t’i shpërbëjmë, do t’ua shpërbëjmë sistemin”, tha Halevi.
“Ne po vrasim terroristë, komandantë, do t’ua shkatërrojmë infrastrukturën që ua mundësoi këtë krim brutal dhe të tmerrshëm”, vazhdoi ai.
“Gaza nuk do të jetë e njëjta”, shtoi ai.
Halevi tha se Izraeli do të bëjë gjithçka për t’i kthyer 150 pengje që u morën nga Hamasi dhe grupet tjera./UBTNews/